Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë një goditje të fortë projektit të dy TEC-eve lundruese në Vlorë, duke pezulluar zyrtarisht procedurën për licencimin e tyre. Përmes një vendimi të marrë më 3 shtator, ERE bëri të ditur se ky pezullim do të mbetet në fuqi derisa Agjencia Kombëtare e Mjedisit të sqarojë përfundimisht nëse këto impiante gëzojnë një leje mjedisore të vlefshme.
Lëvizja e rregullatorit vjen pas kërkesës së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të datës 6 korrik 2026 për ri-licencimin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë nga “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Portin e Triportit, duke vënë sërish në pikëpyetje të ardhmen e dy platformave që rëndojnë mbi financat publike.
Të ankoruara që prej shtatorit të vitit 2022 me premtimin e ish-ministres Belinda Balluku se do të mbulonin 15% të nevojave të vendit, dy platformat me kapacitet 110 MW po rezultojnë një barrë e papërballueshme:
Përveç kostove marramendëse, projekti po spikat për procedurat e dyshimta prokuruese. Së fundmi, KESH i drejtuar nga Vjola Haxhiademi shpalli fituese kompaninë “LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE” për një kontratë 5.2 milionë eurosh me objekt depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse. Procedura u zhvillua me negocim pa njoftim paraprak (e rezervuar vetëm për urgjenca), ku operatori i vetëm fitues ofroi 99.94% të fondit limit.
Ndërsa ambientatistët, avokatët dhe inxhinierët vijojnë kundërshtimet për shkak të ndotjes masive në Gjirin e Vlorës, reagimet janë përshkallëzuar edhe në planin politik. Përdorimi i procedurave pa garë, i përsëritur edhe në vitin 2023 me një tender prej 7.2 milionë eurosh, teksa në proces është edhe një tjetër kontratë 20 milionëshe, ka përforcuar aludimet se ardhja e dy centraleve nuk lindi nga nevoja energjetike, por si kompromis politik mes Belinda Ballukut dhe ish-ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.
E ndërsa ERE pezullon procedurat, pyetja që kërkon përgjigje është se sa gjatë do të vazhdojnë taksapaguesit shqiptarë të paguajnë miliona euro për dy “tigra” sehirxhinj që djegin para pa prodhuar energji.