Një ngjarje e cila mund të kishte përfunduar në tragjedi është denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania nga një qytetar, i cili ka ngritur alarmin për një situatë të rrezikshme të ndodhur ditën e djeshme në bregdetin e Divjakës.
Në pamjet e mbërritura pranë redaksisë shihet qartë një drejtues mjeti, i cili duket se nuk pyet as për rregulla, as për sigurinë e pushuesve dhe as për praninë e fëmijëve në plazh.
Ai ka hyrë me automjet në zonën bregdetare dhe ka përshkuar vijën e plazhit, në një hapësirë të mbushur me pushues, familje dhe fëmijë të vegjël.
Një plazh nuk është pistë automobilistike dhe as pronë private ku secili mund të bëjë çfarë t'i dojë qejfi. Mjafton një moment pakujdesie, një manovër e gabuar apo një fëmijë që vrapon drejt automjetit dhe një ditë pushimi mund të kthehet në tragjedi.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: ku janë strukturat përgjegjëse dhe pse lejohet që automjetet të hyjnë në zona të frekuentuara nga qindra pushues?