Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rahovecin, ku një i mitur është gjetur i plagosur me armë zjarri në fshatin Bellacerkë dhe më pas ka humbur jetën.
Viktima është Blenis Burim Gashi, nga fshati Fortesë. Në njoftimin mortor të familjes thuhet se i riu ka humbur jetën aksidentalisht dhe në moshë shumë të re.
Policia është njoftuar rreth orës 20:35 për një të mitur të gjetur të shtrirë, me plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri është dërguar për trajtim mjekësor. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, është konstatuar vdekja e tij.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.