Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sërish zonën e fshatit Kryezi, në Njësinë Administrative Helmas të Kavajës, duke shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe të tëra me ullinj shekullorë, pemë dhe prona të banorëve.
Flakët kanë përparuar me shpejtësi, duke djegur hektarë të tërë tokë dhe duke rrezikuar edhe banesat e zonës. Sipas raportimeve, zjarri ka shkaktuar një situatë të rëndë, ndërsa dëmet në bujqësi dhe mjedis janë të konsiderueshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat janë përballur me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer dhe përmasave të jashtëzakonshme të flakëve. Pavarësisht ndërhyrjes së tyre, zjarri ka arritur të shkrumbojë gjithçka që ka gjetur përpara.
Ullinjtë shekullorë, pemët dhe sipërfaqe të tëra të gjelbra janë kthyer në hi, ndërsa banorët kanë parë të pafuqishëm sesi pasuria e tyre dhe një pjesë e historisë së zonës po zhdukej mes flakëve.
Ngjarja ngre edhe një herë alarmin për situatën e zjarreve në zonat rurale, ku terreni i vështirë shpesh e bën pothuajse të pamundur ndërhyrjen e shpejtë dhe efektive për të shpëtuar pronat dhe natyrën.