Një kërkesë e veçantë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një djalë, i cili kërkon të gjejë një vajzë me të cilën ka shkëmbyer vetëm disa shikime gjatë një udhëtimi me varkë në Lumin e Shalës.
Ai tregon se e ka parë vajzën më 3 shtator, rreth orës 17:00, teksa po kthehej nga Lumi i Shalës drejt Komanit. Sipas tij, të dy kanë qenë në të njëjtën varkë dhe gjatë gjithë udhëtimit kanë shkëmbyer shikime, por ai nuk ka mundur t’i flasë.
Djali tregon se vajza ishte bjonde, me sy blu dhe e veshur me fustan. Ajo shoqërohej nga dy vajza të tjera dhe një djalë, për të cilin ai nuk e di nëse ishte vëlla apo kushëri.
Ai thotë se kur mbërritën në Koman, vajza u largua menjëherë me makinë dhe kështu humbi mundësinë për t’i folur.
Në një mesazh drejtuar JOQ Albania, ai kërkon ndihmë për ta gjetur, duke treguar se që prej atij takimi vajza i ka mbetur në mendje.
“Ju lutem dua ta gjej këtë vajzën sepse që atë ditë s’po bëj gjumë në sy, se më ka ngelur në mendje. Po e shikonim shumë njëri-tjetrin”, shkruan ai.
Në videon e dërguar në redaksi, ai jep edhe një detaj që shpreson se do ta ndihmojë vajzën ta identifikojë: thotë se ishte djali pa bluzë që po tentonte të ndizte një cigare në varkë, por një turiste e huaj nuk e lejoi.
Ai shpreson që vajza ta shohë videon dhe, nëse e njeh veten, të kontaktojë JOQ Albania.
“Shpresoj që ajo ta shikojë këtë video dhe t’ju shkruajë juve, sepse e di që ju e ruani privatësinë 100% dhe të kem kontakt me atë vajzën”, shprehet ai.
Nëse vajza që përshkruhet në këtë video e njeh veten dhe dëshiron të lidhet me djalin, mund të kontaktojë redaksinë e JOQ Albania, në mënyrë që privatësia e saj të ruhet.