Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë prej disa orësh fshatin Mengaj të Kavajës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe sipërfaqe të tëra toke.
Një banor i zonës i ka dërguar JOQ Albania pamje nga situata, ku shihen banesa të përfshira nga flakët dhe zjarri që ka përparuar në zonë.
Ai pretendon se zjarrfikësja është lajmëruar që në orën 17:00, kur flakët ende nuk kishin përfshirë banesat, por sipas tij, ndërhyrja është bërë vetëm rreth orës 21:00, kur zjarri kishte shkaktuar tashmë dëme të mëdha.
“Kemi marrë zjarrfikësit në orën 5, nuk ishin djegur shtëpitë ende, nuk kanë ardhur. Shikoni shtëpitë e fshatit Mengaj, të gjitha këto shtëpitë këtu janë djegur, si me njerëz, si pa njerëz, të gjitha janë djegur”, shprehet banori në video.
Në komunikimin me JOQ Albania, ai thotë se janë djegur mbi 15 banesa, shumica prej të cilave, sipas tij, nuk kanë pasur njerëz brenda në momentin kur janë përfshirë nga flakët.
“I kam marrë në orën 5 të pasdites dhe kanë ardhur në orën 9 të darkës, kur çdo gjë kishte marrë fund”, pretendon ai lidhur me mbërritjen e zjarrfikësve.
Banori thotë gjithashtu se zjarri ka përfshirë edhe toka bujqësore dhe sipërfaqe të tjera të zonës, duke humbur, sipas tij, edhe puna e bërë nga banorët ndër vite.
“Na janë djegur të gjitha tokat, ullinjtë, 40 vjet punë na ikën para syve”, shkruan ai.
Sipas tij, flakët kanë prekur edhe fshatin Kryezi, ku zjarri është afruar pranë banesave. Fatmirësisht, deri në momentin e raportimit të tij, nuk raportohet për persona të lënduar.