Zjarrfikësit në vijën e parë të flakëve ende pa shpërblim: Po tallen me djersën tonë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.09.2026, 11:58

Një zjarrfikës i Bashkisë Fushë-Arrëz i është drejtuar redaksisë me një shqetësim, duke kërkuar që identiteti i tij të mbetet anonim për shkak të frikës se mund të ketë pasoja në vendin e punës.

Sipas tij, zjarrfikësit e Bashkisë Fushë-Arrëz nuk kanë marrë ende shpërblimin e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në fund të muajit korrik, ndërsa edhe pagesa e orëve shtesë nuk po bëhet në masën që u takon.

Prej dy muajsh po luftojmë çdo ditë me zjarret, në kushte ekstreme dhe shumë të vështira. Dalim në terren dhe punojmë me të gjitha forcat që kemi, por në fund nuk po marrim atë që na takon për punën dhe mundin tonë”, shprehet zjarrfikësi.

Ai tregon se ka punuar 81 orë shtesë vetëm gjatë muajit gusht, ndërsa për këto orë thotë se ka marrë vetëm 90 mijë lekë të vjetra.

Ka raste që më ka zbardhur mëngjesi në pyll. Kemi punuar me radhë dhe pa pushim për të përballuar zjarret. Ndërkohë, për 81 orë shtesë më kanë dhënë vetëm 90 mijë lekë të vjetra. Kjo është tallje me djersën dhe mundin tonë”, thotë ai.

Sipas tij, situata bëhet edhe më e rëndë kur krahasohet me zjarrfikësit e bashkive të tjera, të cilët, sipas informacioneve që ka marrë nga kolegët, e kanë përfituar shpërblimin bashkë me pagën e muajit korrik.

Kam kolegë në bashki të tjera dhe ata i kanë marrë pagat dhe shpërblimin me pagën e korrikut. Nuk kuptojmë pse në Fushë-Arrëz nuk po zbatohet e njëjta gjë”, shprehet ai.

Zjarrfikësi thotë se nuk ka mundësi të ankohet publikisht, pasi ka frikë se mund të humbasë vendin e punës.

Ne nuk kemi ku të ankohemi. Kemi frikë të flasim, sepse mund të humbasim vendin e punës,” thotë zjarrfikësi në denoncimin e tij ndërsa kërkon një zgjidhje të menjëhershme për këtë situatë pasi janë familjarë dhe kanë fëmijë për të rritur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit