Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshatin Kotë të Vlorës, duke prekur edhe ullishtet e zonës.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania shihen sipërfaqe të mëdha të djegura, pemë ulliri të dëmtuara rëndë dhe trungje nga të cilat ende del tym.
Për shumë familje të zonës, dëmet nuk janë vetëm mjedisore. Ullinjtë përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe prodhimi për familjet që jetojnë nga bujqësia.
“Ja pra, JOQ, çfarë kanë bërë! Dëme të mëdha për shumë fise, për shumë familje këtu. Kjo është katastrofë. Kur shumë familje siguronin vajin e ullirit... Ja pra, çfarë është bërë këtu. Nuk e di çfarë mund ta quash këtë gjë. Çfarë emri mund t’i vësh kësaj gjëje, me një njeri të tillë që bën këtë gjë?”
Zjarret në qarkun e Vlorës kanë qenë të shpeshta gjatë këtij sezoni. Vetëm në ditët e fundit janë raportuar vatra në Shashicë, Dukat, Uji i Ftohtë dhe zona të tjera, ndërsa sot raportohet një vatër aktive në Kot, ku flakët kanë përfshirë edhe sipërfaqe me ullishte.
Të dhënat e Bashkisë Vlorë tregojnë gjithashtu se zjarret në territorin e bashkisë kanë prekur ndër vite ullishte, pyje, kullota dhe drurë frutorë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
JOQ Albania publikon pamjet për të sjellë në vëmendje dëmet e shkaktuara dhe situatën e banorëve të zonës.