Një parakalim i gabuar në një kthesë në Theth për pak sa nuk është kthyer në një aksident të rëndë, pasi një Mercedes-Benz ka kaluar në korsinë e kundërt pikërisht në momentin kur përballë po afrohej një turist i huaj me motor.
Pamjet e publikuara nga turisti në Instagram tregojnë momentin kur ai po lëvizte në aksin SH21, ndërsa në një kthesë përballet papritur me Mercedes-Benz-in që ka hyrë në korsinë e tij. Në sfond duket edhe një automjet tjetër, ndërsa motoristi detyrohet të reagojë menjëherë për të shmangur përplasjen.
Nga pamjet duket se distanca mes dy mjeteve zvogëlohet brenda pak sekondash, duke krijuar një situatë që mund të kishte përfunduar në përplasje ballore.
Turisti, i cili ka publikuar videon në Instagram, shprehet i revoltuar për manovrën dhe kundërshton perceptimin se janë motoristët ata që shkaktojnë zakonisht situata të rrezikshme në rrugë.
“Dy rrota nuk të bëjnë të rrezikshëm; neglizhenca po”, shkruan ai, duke theksuar se po lëvizte me kujdes dhe në korsinë e tij kur drejtuesi i Mercedes-Benz-it kaloi në anën e kundërt të rrugës.
Por parakalimi i rrezikshëm nuk ishte e vetmja vështirësi me të cilën turisti thotë se u përball gjatë asaj dite. Sipas tij, më herët kishte pësuar një gomë të shfryrë gjatë rrugëtimit, ndërsa më pas ishte përballur edhe me probleme të forta shëndetësore për shkak të helmimit ushqimor.
Pavarësisht këtyre vështirësive, ajo që mund të kishte marrë një tjetër përmasë ishte manovra e Mercedes-Benz-it në kthesën e Thethit, ku një hyrje në korsinë e kundërt për pak sa nuk solli një përplasje me motoristin.
Rasti rikthen në vëmendje rrezikun e parakalimeve në kthesa, veçanërisht në akset malore ku fushëpamja është e kufizuar dhe drejtuesit nuk mund të shohin në kohë automjetet që vijnë përballë.