“Taksisti u fut në parakalim mbi urë me pasagjerë brenda, t’i hiqet patenta”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.09.2026, 20:27

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një manovër të rrezikshme të një drejtuesi taksie në aksin Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Plezhë.

Në pamjet e dërguara në redaksi duket taksia e kompanisë Pro Taxi, me targë AK409T, teksa kryen një parakalim duke kaluar në korsinë e sensit të kundërt të lëvizjes, pavarësisht vijës së pandërprerë në rrugë.

Manovra është kryer në një segment mbi urë, ku rruga ka nga një korsi për secilin sens lëvizjeje, duke e detyruar drejtuesin e taksisë të futet në korsinë ku lëviznin automjetet që vinin përballë.

Për më tepër, sipas denoncuesit, në taksi ndodheshin edhe pasagjerë në momentin e manovrës.

Qytetari kërkon që rasti të verifikohet nga autoritetet dhe të merren masat përkatëse ndaj drejtuesit, pasi një manovër e tillë mund të rrezikojë jo vetëm pasagjerët e mjetit, por edhe drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në sensin e kundërt.

“Kur vijnë në Shkodër i thyejnë rregullat, bën parakalim mbi urë në aksin Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Plezhë. Ju lutem publikoje edhe shteti të marrë masa, ta gjobitë e t’i heqë patentën, se ai merr në qafë pasagjerët se ishte me njerëz”, shkruan denoncuesi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit