Ndërtuesit nuk do të lejohen më të blejnë pallatet që u janë sekuestruar

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.09.2026, 20:04

Qeveria ka vendosur të ndryshojë rregullat për pallatet e sekuestruara nga shteti për shkak se janë ndërtuar pa leje ose në tejkalim të saj.

Sipas projektligjit të ri të miratuar nga qeveria, ndërtuesit, zbatuesit, mbikëqyrësit dhe kolauduesit e objekteve të konfiskuara nuk do të lejohen më të marrin pjesë në ankandet për t'i blerë sërish ato.

Vendimi vjen pas një praktike që prej vitesh ka ngritur pikëpyetje të mëdha. Pallate të sekuestruara nga shteti për shkelje të rënda të lejeve të ndërtimit janë nxjerrë më pas në shitje dhe, në disa raste, janë riblerë nga vetë personat që i kishin ndërtuar.

Mes rasteve të përmendura janë objekte të ndërtuara nga Lul Morina dhe Pëllumb Salillari në zonën e Liqenit të Thatë, si edhe kulla “Eyes of Tirana” e lidhur me Armand Lilon, ku ishin konstatuar kate shtesë mbi lejen e miratuar.

Sipas të dhënave të bëra publike, disa prej këtyre objekteve janë shitur me çmime që arrinin rreth 200 euro për metër katror, duke bërë që ndërtimet e sekuestruara praktikisht të riktheheshin te ndërtuesit e tyre.

Në projektligjin e ri përcaktohet qartë:

“Subjektet, në cilësinë e zhvilluesit/zbatuesit/mbikëqyrësit/kolauduesit të pronës së konfiskuar nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e shitjes.”

Kufizimi do të nisë të zbatohet pas një periudhe tranzitore prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ndërkohë, administrimi i objekteve të sekuestruara do t'i kalojë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila do të vendosë nëse ato do të përdoren për nevoja publike apo do të nxirren në ankand.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit