“Zari” i Grigor Jotit fut në xhep 72 MLN nga Sala i AKEPIT

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.09.2026, 18:41

Një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ngre pikëpyetje mbi nivelin real të konkurrencës. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Suport i sistemit të menaxhimit të cctld.al dhe licenca vjetore për pajisjet e platformës DNS”, me fond limit 6,050,000 lekë të reja pa TVSH.

Fitues i procedurës është shpallur INFOSOFT SYSTEMS sh.p.k., me një ofertë prej 6,000,000 lekësh pa TVSH, vetëm 50 mijë lekë më pak se fondi limit. Me TVSH, vlera shkon në 7.2 milionë lekë të rinj, ose 72 milionë lekë të vjetra.

Ajo që bie në sy në dokumentacion është konkurrenca. Në procedurë rezultojnë dy operatorë: INFOSOFT SYSTEMS dhe INSTAT.AL. Por për kompaninë e dytë dokumenti shënon qartë: “nuk ka paraqitur ofertë ekonomike”. Pra, në aspektin e çmimit, në garë ka mbetur praktikisht vetëm oferta prej 6 milionë lekësh e kompanisë që më pas është shpallur fituese.

Vetë ky fakt ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për AKEP-in: sa reale ishte gara, kur vetëm një prej pjesëmarrësve kishte paraqitur ofertë ekonomike dhe kjo ofertë ishte thuajse në nivelin maksimal të fondit limit?

AKEP aktualisht drejtohet nga Gentian Sala, i emëruar kryetar i Këshillit Drejtues në shkurt të vitit 2025.

Një tjetër element që kërkon sqarim është historia e kompanisë fituese dhe lidhja e saj me biznesmenin Grigor Joti. Sipas të dhënave historike të regjistrit të biznesit, Grigor Joti ka qenë për vite me radhë ortak i rëndësishëm i INFOSOFT SYSTEMS. Në maj të vitit 2023 ai shiti fillimisht 18.33% të kapitalit te Bledar Dhima dhe më pas 36.66% të kuotave te Armand Shara për 219.978 milionë lekë, duke dalë nga ortakëria e kompanisë.

Dokumentet e përditësuara në vitin 2026 tregojnë se struktura aktuale e INFOSOFT SYSTEMS përbëhet nga TAG Capital me 36.66%, Bledar Dhima me 33.34% dhe TAG Engineering me 30%. TAG Capital dhe TAG Engineering rezultojnë të lidhura me Armand Sharën, ndërsa në dokumentacionin e paraqitur TAG Engineering figuron në pronësi të tij.

Pra, Grigor Joti nuk rezulton sot ortak i drejtpërdrejtë i INFOSOFT SYSTEMS, ndaj lidhja me të është historike dhe jo pronësi aktuale. Megjithatë, emri i tij është i lidhur ngushtë me historikun e kompanisë, ku ka qenë një prej ortakëve kryesorë përpara transferimit të kuotave në vitin 2023.

Ajo që e bën çështjen edhe më interesante është se INFOSOFT SYSTEMS nuk është një emër i ri në tenderët e AKEP-it. Për të njëjtin ose pothuajse të njëjtin objekt, “suport i sistemit të menaxhimit të cctld.al dhe licenca vjetore për platformën DNS”, kompania rezulton fituese edhe në procedura të mëparshme: në vitin 2022 me rreth 11.17 milionë lekë dhe në vitin 2024 me rreth 11.55 milionë lekë.

Bashkë me faktin se në procedurën e fundit vetëm fituesi kishte një ofertë ekonomike konkrete, ndërsa çmimi ishte vetëm 50 mijë lekë poshtë fondit limit, krijon arsye të mjaftueshme që AKEP të bëjë transparente mënyrën se si është zhvilluar gara dhe vlerësuar oferta.

AKEP duhet të sqarojë publikisht: pse procedura përfundoi praktikisht me vetëm një ofertë ekonomike, si u përcaktua fondi limit prej 6.05 milionë lekësh dhe mbi çfarë analize u vlerësua si ekonomikisht e përshtatshme oferta prej 6 milionësh?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit