Edi Rama pranon se Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian me të gjitha kompetencat, duke vënë në pikëpyetje pritshmëritë për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë. Nga Forumi i Cernobbios në Itali, kryeministri kërkoi një model të “integrimit gradual”, ku Shqipëria të përfshihet fillimisht në tregun e përbashkët, universitetet dhe programet europiane, pa pasur menjëherë të drejtën e vetos.
“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve”, deklaroi Rama. Por deklarata e tij sjell në vëmendje edhe faktin se Shqipëria, sipas vetë kryeministrit, nuk shihet ende nga disa vende të BE-së si një vend që mund të marrë të gjitha kompetencat e një anëtari të plotë.
Rama ishte i drejtpërdrejtë kur foli për vitin 2027 dhe të drejtën e vetos: “Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’”. Kjo deklaratë ngre pikëpyetje mbi premtimet dhe pritshmëritë për procesin e integrimit europian, ndërsa Shqipëria ende përballet me një rrugë të gjatë për anëtarësimin e plotë.
Në fund, Rama tha se Shqipërisë nuk i nevojitet menjëherë vetoja për t’u ulur në tryezën europiane: “Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës”. Në një lexim kritik, deklarata mund të shihet si një pranim se objektivi i anëtarësimit me të drejta të plota mbetet larg dhe se Shqipërisë mund t’i ofrohet fillimisht një status i ndërmjetëm. Pra, në vend të një Shqipërie që hyn në BE si e barabartë, Rama po propozon një Shqipëri që fillimisht të hyjë “pjesërisht” dhe të presë për të drejtat e plota.