Një qytetare ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë që, sipas saj, prej pesë ditësh po prek banorët dhe bizneset në zonën e Tregut Industrial dhe në Lagjen 6 të Durrësit.
Sipas denoncimit, linjat e internetit të disa kompanive janë ndërprerë që prej ditës së hënë, duke lënë banorët pa internet, shërbime televizive dhe kanale komunikimi.
Qytetarja thotë se për situatën është bërë denoncim në polici, si edhe pranë AKEP-it, por deri më tani, sipas saj, nuk ka pasur ndërhyrje apo zgjidhje.
“Kompanitë përpiqen t’i lidhin linjat e internetit, por Bashkia shkon dhe ua pret”, shprehet qytetarja në denoncimin e saj.
Ajo thotë gjithashtu se ka komunikuar me Bashkinë e Durrësit, ku i është kërkuar që kompanitë e internetit t’i vendosin kabllot nën tokë. Por, sipas saj, zona nuk disponon infrastrukturën e nevojshme për një zgjidhje të tillë.
“Na kanë lënë prej pesë ditësh të izoluar, pa internet dhe pa shërbime. Kemi bërë denoncime në polici dhe në AKEP, por nuk ndërhyn askush”, thuhet në denoncimin e qytetares.
Banorët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës dhe rikthimin e shërbimeve, ndërsa mbetet për t’u verifikuar nga institucionet kompetente nëse ndërprerjet e linjave janë kryer nga Bashkia e Durrësit dhe cilat janë arsyet konkrete të ndërhyrjeve.