Vrasja e shqiptares në Austri, vëllai i partnerit i hyri në shtëpi dhe e goditi me çekiç

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.09.2026, 10:59

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Graz të Austrisë, ku 24-vjeçarja shqiptare Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora, u gjet e pajetë në apartamentin ku jetonte me partnerin e saj.

Në pranga ka përfunduar një 23-vjeçar, i cili dyshohet se është autori i krimit. Bëhet fjalë për vëllain e partnerit të viktimës. I riu është ndaluar nga policia në shkallët e pallatit, pak pasi dyshohet se kishte dalë nga apartamenti, ndërsa dëshmitarët e kanë përshkruar si të mbuluar me gjak.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 23-vjeçari dyshohet se ka shkuar i vetëm në banesë dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel Laçi ndodhej e vetme në apartament, pasi partneri i saj nuk ishte aty.

Hetuesit dyshojnë se 24-vjeçarja është goditur me çekiç dhe se plagët e shkaktuara prej sulmit kanë qenë fatale. Ajo është gjetur pa shenja jete nga efektivët e policisë, të cilët mbërritën në banesë pasi u njoftuan rreth orës 12:40 të së enjtes, 3 shtator.

Ngjarja ndodhi në një apartament në qendër të Grazit. Autoritetet kanë konfirmuar se e reja ka humbur jetën në vendngjarje. Fillimisht, policia bëri me dije se personi i arrestuar kishte lidhje familjare me viktimën, ndërsa më pas u saktësua se ai ishte vëllai i partnerit të saj.

Gjatë marrjes në pyetje, 23-vjeçari ka zgjedhur të mos japë deklarime. Ai nuk ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur dhe as nuk ka dhënë ndonjë motiv të mundshëm për sulmin. Për momentin, ai po hetohet nën dyshimin për vrasje.

Autopsia e trupit të 24-vjeçares është kryer, ndërsa hetuesit vijojnë punën për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin. Deri tani, autoritetet austriake nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se çfarë e ka shkaktuar konfliktin që përfundoi në vdekjen e të resë shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit