Makineria propagandistike ndez motorët, mediat nisin fushatën për “rikthimin” e Lali Erit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.09.2026, 22:44

Nëse dikush do të kërkonte një shembull se si mund të ndërtohet një narrativë mediatike rreth një politikani që ndodhet në paraburgim, mëngjesi i së premtes do të ishte një rast për t’u studiuar.

Në disa media u shfaq pothuajse njëkohësisht i njëjti mesazh: “Veliaj mori kompetencat, Bashkia bën natën ditë”. Me pamje të ngjashme, me të njëjtën histori dhe me një ide të qartë në sfond: sapo kompetencat iu rikthyen Erion Veliajt, Bashkia e Tiranës sikur të kishte kujtuar papritur se ekzistonte edhe puna.

Ironia është e vështirë të mos vihet re.

Për muaj me radhë Tirana ka funksionuar pa kryetarin e saj të zgjedhur, ndërsa tani publikut i serviret një tablo ku rikthimi i kompetencave të Veliajt shoqërohet me një lloj “zgjimi” të Bashkisë. Fshesa në dorë, punonjësit në terren dhe qyteti që “bën natën ditë” – një skenografi mediatike që duket sikur ka vetëm një qëllim: të krijojë idenë se pa Veliajn Tirana nuk ecën.

Dhe këtu lind pyetja më interesante: pse pikërisht tani?

Gjykata e Lartë ka caktuar për 15 shtator shqyrtimin e masës së arrestit ndaj Veliajt, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ndërsa afrohet dita kur drejtësia duhet të vendosë nëse kryebashkiaku do të vijojë të qëndrojë në paraburgim apo masa e sigurisë do të ndryshojë, në publik po ndërtohet me intensitet një tjetër histori: Veliaj është i domosdoshëm për Bashkinë, Veliaj duhet të ushtrojë kompetencat, Veliaj mungon dhe qytetarët po vuajnë mungesën e tij.

Kjo nuk është më thjesht një kronikë për pastrimin e qytetit. Është një narrativë politike.

Sepse lajmi nuk mjaftohet të thotë se punonjësit e Bashkisë kanë dalë në terren. Jo. Mesazhi që përcillet është shumë më i madh: që kur Veliaj mori sërish kompetencat, Bashkia nisi të funksionojë.

Nëse ky është thjesht një rastësi editoriale, atëherë është një rastësi vërtet mbresëlënëse. Por nëse shikon edhe zhvillimet e tjera të ditëve të fundit, tabloja bëhet edhe më interesante.

Veliaj ka ndërmarrë lëvizje nga paraburgimi për të rimarrë kontrollin e kompetencave të tij në Bashkinë e Tiranës. Kryeministria ka mbajtur qëndrim publik se ai është ende kryetari i zgjedhur i bashkisë dhe se ushtrimi i mandatit të tij lidhet edhe me të drejtën e zgjedhësve. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, mediat raportuan edhe për përgatitjet e mbrojtjes së tij për një ankimim në Strasburg.

Pra, në vend që debati publik të përqendrohet vetëm te pyetja juridike që duhet të shqyrtojë Gjykata e Lartë, publikut po i serviret gjithnjë e më shumë pyetja politike: çfarë ndodh me Tiranën nëse Veliaj qëndron në qeli?

Dhe kjo është pikërisht pika ku propaganda bëhet më e sofistikuar.

Nuk ke nevojë të thuash drejtpërdrejt “lironi Veliajn”. Mjafton të përsërisësh çdo ditë se Bashkia funksionon më mirë kur ai merr kompetencat, se qyteti po “bën natën ditë” sapo ai firmos nga paraburgimi dhe se mungesa e tij rëndon mbi shërbimet.

Mesazhi kuptohet vetë.

Në këtë histori, problemi nuk është nëse punonjësit e Bashkisë kanë punuar natën apo nëse janë pastruar rrugë. Sigurisht që duhet të punojnë. Problemi është shndërrimi i një pune normale të administratës publike në një fushatë për të prodhuar figurën e kryebashkiakut të pazëvendësueshëm.

Dhe sa më shumë afrohet 15 shtatori, aq më shumë kjo histori merr ngjyrat e një fushate për të krijuar opinionin se mbajtja e Veliajt në paraburgim nuk është thjesht një çështje juridike, por një “problem” për qytetin.

Gjykata e Lartë, në fund, nuk duhet të gjykojë sipas titujve të portaleve, videove me fshesa apo fotografive të punonjësve në terren. Ajo duhet të gjykojë mbi ligjin dhe kriteret që i janë vendosur përpara.

Sepse nëse drejtësia fillon të ndikohet nga pyetja “çfarë do të ndodhë me Bashkinë nëse Veliaj qëndron në burg?”, atëherë kemi dalë nga territori i drejtësisë dhe kemi hyrë në territorin e propagandës.

Dhe kjo është ajo që duhet parë me shumë vëmendje më 15 shtator.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit