Pamje dramatike nga Fieri kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, shkurre dhe pyje, ndërsa flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi.
Zjarri, i nisur në zonën e Drizës dhe Radostinës, ka avancuar në drejtim të Levanit dhe Qafës së Koshovicës, duke iu afruar banesave dhe bizneseve. Sipas raportimeve të fundit, disa banesa dhe një magazinë janë përfshirë nga flakët, ndërsa disa familje janë evakuuar për shkak të rrezikut.
Situata është rënduar edhe pranë zonës së liqenit të Levanit, ku flakët janë afruar deri pranë bizneseve dhe një pike karburanti. Pronarët e disa lokaleve kanë larguar stafin dhe klientët, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zonën.
Zjarri është favorizuar nga era e fortë dhe terreni i vështirë, duke e komplikuar ndërhyrjen nga toka. Në zonë vijon puna për izolimin e flakëve, ndërsa është ndërhyrë edhe nga ajri.
Ndërkohë, tre persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore me shenja asfiksie nga tymi.
Situata mbetet dinamike, ndërsa pamjet e siguruara tregojnë përmasat e flakëve dhe shtëllungat e mëdha të tymit që kanë përfshirë zonën e Fierit.