“Siguria nuk është vetëm prani fizike, por besim, përgjegjësi dhe gatishmëri”. Kështu deklaroi vetëm pak ditë më parë Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari gjatë takimit me drejtuesit e “Illyrian Guard”, duke kërkuar rritjen e standardeve të shërbimit. Por nga brenda kompanisë, një denoncim i ardhur nga një punonjës ngre pikëpyetje serioze pikërisht mbi këto standarde.
Një punonjës i administratës së “Illyrian Guard” pretendon se prej 5 muajsh kompania nuk u ka vënë në dispozicion automjete për punën në terren, duke i detyruar punonjësit të përdorin makinat e tyre personale për të shkuar në objektet që duhet të sigurojnë.
Sipas denoncimit, situata bëhet edhe më absurde: punonjësit thonë se karburanti nuk u rimbursohet, pasi kompania nuk ua lejon përdorimin e naftës për automjetet private.
“Detyra jonë është të ruajmë objektet shtetërore me roje dhe grupe të gatshme, me motorë. Por ne nuk kemi asnjë automjet, asnjë motor”, thuhet në denoncim.
Por pretendimi më tronditës lidhet me numrin e mjeteve në dispozicion të kompanisë. Sipas punonjësit, “Illyrian Guard” ka rreth 2,500 punonjës, por vetëm një automjet, i cili përdoret nga administratori.
Nëse ky pretendim është i saktë, lind pyetja e thjeshtë: si mund të flitet për gatishmëri, reagim të shpejtë dhe standarde moderne sigurie, kur mijëra punonjës në terren pretendojnë se nuk kanë mjetet bazë për të kryer detyrën?
Dhe situata nuk ndalet këtu.
Punonjësi pretendon gjithashtu se rojet janë detyruar t’i blejnë vetë uniformat, pasi kompania nuk ua ka siguruar ato.
Pra, sipas këtij denoncimi, punonjësi që paguhet për të ruajtur një objekt shtetëror duhet të sigurojë vetë uniformën, të përdorë makinën e tij për punë dhe, sipas pretendimit, të përballojë vetë edhe shpenzimet e karburantit.
Ndërkohë, në nivel zyrtar, drejtuesit flasin për “profesionalizëm”, “cilësi”, “standard më të lartë shërbimi” dhe “gatishmëri”. Vetë Ministria e Brendshme ka deklaruar se “Illyrian Guard” synon forcimin e organizimit dhe rritjen e standardeve të shërbimit duke i pirë gjakun punonjësve.