Autorët “shkrinë” gjurmët pas vrasjes së Viktor Bardhit, dikush i ndihmoi për t’i ikur policisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.09.2026, 11:24

Detaje të reja po dalin nga atentati që tronditi Mirditën, ku Viktor Bardhi u ekzekutua me armë zjarri në fshatin Ndërfushas. Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e autorëve para dhe pas krimit, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me një konflikt të vjetër gjakmarrjeje.

Dyshohet se, menjëherë pas atentatit, autorët kanë përdorur një nënkalim të “Rrugës së Kombit” për t’u larguar nga zona. Pikërisht afërsia e këtij kalimi me vendin e ngjarjes ka bërë që lëvizjet në këtë aks të jenë pjesë e rëndësishme e hetimit.

Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në hyrje dhe dalje të Rrëshenit, policia nuk ka mundur të identifikojë automjetin me të cilin dyshohet se janë larguar autorët. Makina u gjet e djegur rreth 20 minuta pas vrasjes, në fshatin Monaz.

Hetuesit dyshojnë se djegia e automjetit ka qenë pjesë e planit për të humbur gjurmët. Pas braktisjes së makinës, autorët mendohet të kenë hipur në një tjetër automjet, ku mund të jenë pritur nga persona të tjerë të përfshirë në arratisje. Në këtë mënyrë, ata kanë mundur të largohen nga zona pa lënë gjurmë të qarta në kamerat e sigurisë.

Në fokusin e hetimit është rikthyer edhe historia e konfliktit të përgjakshëm mes familjes Bardhi dhe një tjetër fisi në zonë. Përplasja daton prej vitit 2016, pas vrasjes së Saimir Jakut, dhe që prej asaj kohe bilanci është rënduar me nëntë viktima të tjera, të regjistruara nga të dyja palët.

Viktor Bardhi nuk ishte emër i panjohur për këtë histori. Në vitin 2023, vëllai i tij, Martin Bardhi, u vra në lokalin e tij në Mirditë, rreth një muaj pasi kishte lënë qelinë. Ai ishte akuzuar më herët për një vrasje të mbetur në tentativë ndaj S. R.

Saga e vrasjeve preku sërish familjen në janar të vitit 2025, kur u ekzekutua në aksin Fier–Vlorë Kristian Bardhi, alias Marku, nipi i Viktor Bardhit. As vrasja e Martin Bardhit dhe as ajo e Kristian Bardhit nuk janë zbardhur ende.

Në lidhje me atentatin e fundit, policia ka shoqëruar një person në komisariat. Drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muça, konfirmoi dje shoqërimin, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse personi ka një rol në ekzekutim apo çfarë informacioni mund të ketë për ngjarjen.

Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve, ndërsa policia po verifikon edhe personat që mund të kenë ndihmuar në largimin e tyre nga vendi i krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit