Kombëtarja argjentinase po përgatitet të nisë një kapitull të ri në historinë e saj. Tërheqja e Lionel Messit nga përfaqësuesja shënon fundin e një epoke dhe hap një periudhë të mbushur me pikëpyetje për “Albiceleste”. Kampionët e trefishtë të botës do të duhet të përballen me sfidat e së ardhmes pa liderin dhe kapitenin e tyre historik.
Në qendër të këtij projekti të ri ndodhet trajneri Lionel Scaloni, i cili ka misionin të mbajë Argjentinën në majat e futbollit botëror. Copa America 2028 është objektivi i radhës, por në Argjentinë ekziston shqetësimi se edhe vetë Scaloni mund të largohet përpara përfundimit të këtij cikli.
“Do të qëndroj deri në dhjetor. Më pas do të flas me presidentin. Ideja është të ndalem dhe të pushoj pak”, ishte shprehur Scaloni pas finales së Botërorit, deklaratë që shkaktoi jo pak shqetësim në opinionin sportiv argjentinas.
Megjithatë, më pas situata u qetësua, pasi u raportua se trajneri dhe stafi i tij pritet të vazhdojnë punën deri në edicionin e ardhshëm të Copa America. Por largimi i Messit ka rikthyer sërish dyshimet për të ardhmen e projektit.
Pavarësisht mungesës së kapitenit legjendar, Argjentina vazhdon të ketë në dispozicion një brez futbollistësh të nivelit të lartë. Emra si Julián Álvarez, Lautaro Martínez, Cristian Romero dhe Emiliano Martínez pritet të marrin më shumë përgjegjësi në ekip. Madje, një nga dilemat kryesore është edhe kush do të mbajë shiritin e kapitenit, me Romero që konsiderohet një nga kandidatët kryesorë.
Me kontratën që i përfundon në dhjetor, Scaloni pritet të publikojë më 6 shtator listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme miqësore, të parat që Argjentina do t’i zhvillojë pa Lionel Messin.
Do të jetë një moment simbolik për t’i dhënë lamtumirën numrit 10 dhe njëkohësisht për të nisur rrugëtimin drejt një epoke të re. Vendimi për të ardhmen e Scalonit pritet të merret në fund të vitit, ndërsa Federata Argjentinase duket e vendosur t’i ofrojë rinovimin e kontratës. Në fund, gjithçka do të varet nga zgjedhja e vetë trajnerit.