Dimri 2026/27 me më pak borë? Ja çfarë parashikojnë modelet e para për Evropën dhe Ballkanin.
Parashikimet e para sezonale për dimrin 2026/2027 sinjalizojnë më pak borë se mesatarja në pjesën më të madhe të Evropës.
Modelet afatgjata ECMWF dhe UKMO tregojnë mundësinë e një qarkullimi më të butë ajror nga Atlantiku, i cili mund të zvogëlojë reshjet e qëndrueshme të borës, veçanërisht në ultësira dhe në Evropën qendrore, perëndimore e jugore.
Nëntori dhe dhjetori pritet të kenë një fillim më të ngadalshëm të sezonit të borës, ndërsa e njëjta prirje mund të vazhdojë edhe gjatë janarit dhe shkurtit. Më shumë borë parashikohet kryesisht në zonat malore dhe në veri e verilindje të kontinentit.
Për Ballkanin, sinjalet e para tregojnë temperatura më të buta dhe më pak mundësi për krijimin e një shtrese të qëndrueshme bore në ultësira. Megjithatë, episode të shkurtra të të ftohtit dhe reshjeve të dendura mbeten të mundshme.
Ekspertët kujtojnë se bëhet fjalë për parashikime shumë të hershme sezonale dhe situata atmosferike mund të ndryshojë ndjeshëm deri në fillimin e dimrit.