Një 17-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, nën dyshimin se ka bashkëpunuar në vrasjen e 25-vjeçarit Gabriele Vaccaro, punonjës poste, i cili humbi jetën pas një konflikti të nisur për një arsye banale.
Ngjarja ndodhi prillin e kaluar në parkingun e zonës Cattaneo, pranë qendrës historike të Pavias. Viktima u qëllua me thikë në fyt gjatë një përleshjeje që dyshohet se nisi pas një debati për një picë që do të merrej me vete.
Menjëherë pas krimit, policia arrestoi një 16-vjeçar, i dyshuar si personi që kreu goditjet fatale me thikë. Krahas tij, autoritetet kishin identifikuar dhe denoncuar edhe katër të rinj të tjerë që ndodheshin në grupin e përfshirë në ngjarje.
Sipas hetimeve, 17-vjeçari shqiptar ishte pjesë e këtij grupi dhe gjatë përleshjes dyshohet se ka ndërhyrë për të mbrojtur me trup të miturin e akuzuar për vrasjen. Pas ngjarjes, ai dyshohet se është larguar së bashku me të dhe më vonë i ka dhënë rrobat e tij, në përpjekje për ta ndihmuar të shmangte identifikimin dhe kontrollet e policisë.
I riu shqiptar është dërguar në Institutin Penal për të Mitur “Cesare Beccaria” në Milano, ku do të qëndrojë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme të çështjes.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë në konflikt. Të rinjtë e tjerë të lidhur me ngjarjen janë tashmë në moshë madhore.