Nuk kanë fund gallatat: Humb celulari i sekuestruar në burgun Fierit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.09.2026, 22:10

Në burgun e Fierit duket se nuk arratisen vetëm njerëzit. Tashmë paska nisur të arratiset edhe inventari i sekuestruar.

Një telefon celular, i gjetur më 24 qershor në qelinë e të burgosurit K.C., është zhdukur pasi ishte sekuestruar, raportuar dhe futur zyrtarisht në dokumentet e incidentit. Madje, i burgosuri e kishte pranuar se telefoni ishte i tij. Gjithçka dukej e thjeshtë: u gjet objekti, u identifikua pronari dhe u hartua raporti.

Por në sistemin penitenciar shqiptar, pikërisht aty ku mbaron procedura, fillon magjia.

Kur Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nisi veprimet procedurale, konstatoi se prova materiale nuk ndodhej më në vendngjarje. Telefoni ishte kapur brenda një burgu me mure, kamera, kontrolle, turne, përgjegjës godine dhe punonjës sigurie, por sërish kishte arritur të “çante rrethimin” pa lënë gjurmë.

Një performancë që do ta kishte zili edhe magjistar Houdini.

Për ngjarjen janë pezulluar nga detyra katër punonjës të IEVP Fier: përgjegjësi i godinave B dhe C dhe tre punonjës të rolit bazë. Gjykata ka vendosur ndaj tyre pezullimin nga detyra, ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ndërkohë, për të paraburgosurit K.C. dhe B.P. është caktuar masa “arrest me burg” — masë veçanërisht interesante për persona që ndodheshin tashmë pas hekurave.

Pra, bilanci është ky: celulari futet në burg pa u kuptuar, gjendet gjatë kontrollit, sekuestrohet, dokumentohet dhe më pas zhduket. Një zinxhir sigurie aq hermetik, sa prova materiale doli më lirshëm nga institucioni sesa mund të dalë një familjar pas orarit të takimeve.

Tani hetuesit duhet të zbulojnë nëse telefoni u largua me leje, përfitoi ulje dënimi për sjellje të mirë apo thjesht kishte njohje më të forta se drejtuesit e burgut.

Sepse në Shqipëri nuk mjafton të kapësh provën. Duhet ta ruash nga vetë institucioni që duhet ta ruajë.

Në fund, pyetja nuk është vetëm si hyri telefoni në qeli. Pyetja e madhe është: pasi u sekuestrua, kush ia hapi derën për të dalë?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit