Investitorët “strategjikë” me ushtri private: Të thërrasim NATO-n?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.09.2026, 21:24

Në Shqipëri, fjala “investitor strategjik” duket se nuk nënkupton më vetëm leje ndërtimi, favore shtetërore dhe copa bregdeti. Sipas pamjeve të publikuara sot nga Vlora, paketa mund të përfshijë edhe autokolonë me makina luksoze, njerëz të armatosur dhe kompani private sigurie që ngjajnë më shumë me një repart luftarak.

Ngjarja u regjistrua në resortin “Regina Palm” të Vasil Bedinajt, ku Luan Muça, pronar i “Delta Group”, raportohet se mbërriti i shoqëruar nga një grup i madh personash të armatosur. Në raportimet e para u fol deri për 40 veta, ndërsa pamjet dhe të dhënat e mëvonshme tregojnë të paktën 10–15 persona dhe tetë automjete. Me sa duket, ky ishte një “takim sqarues” në stilin e ri të biznesit shqiptar: shkon për dokumentet e pronës, por merr me vete një ushtri private, se mos lapsi nuk shkruan.

Sipas Policisë, Muça dhe personat që e shoqëronin dyshohet se i kërkuan Bedinajt 5 milionë euro dhe e kërcënuan që të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh. Mbrojtja e Muçës e mohon këtë version dhe pretendon se ai kishte shkuar për të sqaruar një konflikt mbi dokumentacionin e një investimi në jug. Pra, sipas këtij versioni, armët, autokolona dhe grupi me uniforma kamuflazhi mund të kenë qenë thjesht noterët e rinj të bregdetit.

Pas ngjarjes nisi edhe ndjekja policore. Një “Range Rover” nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe përfundoi i përplasur në barrierat e rrugës, ndërsa një “Audi A8” u gjet i djegur. Policia arrestoi pesë persona, mes tyre edhe Luan Muçën, ndërsa gjashtë të tjerë u shpallën në kërkim. Natyrshëm lind pyetja: si arriti një grup kaq i madh, i armatosur dhe me tetë makina, të organizonte një demonstrim force në mes të një resorti, mes pushuesve, pa u shqetësuar paraprakisht nga askush?

Ndoshta Policia e Shtetit nuk ka kapacitete për grupe kaq “strategjike”. Ndoshta herën tjetër duhet aktivizuar neni 5 i NATO-s: një sulm ndaj një resorti në Radhimë të konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës. Të zbarkojnë avionët, dronët dhe forcat speciale, sepse gjashtë persona ende kërkohen, ndërsa kamerat i kanë filmuar duke ardhur në kolonë sikur po parakalonin për 28 Nëntor.

Ngjarja nxjerr lakuriq një realitet shumë më të rëndë se konflikti mes dy biznesmenëve: në një vend normal, shteti ka monopolin e forcës. Në Shqipëri, duket se forcën mund ta kesh edhe me kontratë private, mjafton të jesh mjaftueshëm “strategjik”.

Qytetarëve u kërkohet leje edhe për të mbyllur ballkonin. Ndërsa disa të fuqishëm mund të lëvizin me njerëz të armatosur, makina me xhama të zinj dhe pretendime pronësie në xhep. Pastaj institucionet dalin dhe na sigurojnë se “situata është nën kontroll”.

Po, aq nën kontroll sa makina digjet, tjetra përmbyset, armët nxirren mes turistëve dhe dhjetëra persona zhduken nga sytë e shtetit.

Mirë se vini në Shqipërinë strategjike: territorin e jep qeveria, sigurinë e organizon privati dhe për kapjen e të kërkuarve presim ndoshta përforcime nga NATO-ja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit