Mini-fundet, bluzat e shkurtra dhe pantallonat e grisura “jashtë” shkollës në Gjakovë.
Me nisjen e vitit të ri shkollor 2026/2027, rikthehet në vëmendje edhe kodi i veshjes në ambientet shkollore.
Shkolla e Mesme e Lartë Ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë u ka rikujtuar nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve se duhet të paraqiten në shkollë me veshje të përshtatshme.
Në materialin e publikuar nga shkolla bëhet e ditur se nuk lejohen fustanet dhe fundet shumë të shkurtra, bluzat e shkurtra apo pa mëngë, pantallonat e grisura dhe pantallonat e shkurtra sportive.
Rregullat nuk vlejnë vetëm për nxënësit, por edhe për stafin arsimor dhe prindërit që hyjnë në ambientet e shkollës.
Njoftimi është bërë pas nisjes së vitit të ri shkollor më 1 shtator, ndërsa shkolla ka kërkuar respektimin e kodit të përcaktuar të veshjes.