‘Fast&furious” në Vlorë pas përplasjes me armë mes dy biznesmenëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 03.09.2026, 14:48

Pamjet e mëposhtme janë nga aksidenti i personave që dyshohet se u përfshinë në konfliktin me biznesmenin Vasil Bedinaj në ambientet e hotel “Regina”. Pas përplasjes, grupi është larguar nga vendngjarja në drejtim të Orikumit. Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një grup të madh personash, që udhëtonin me rreth 8 automjete, ndërsa numri i tyre raportohet të ketë qenë rreth 25 persona. Mes tyre dyshohet se kishte edhe persona që shërbenin si truproja, ndërsa rreth 10 prej tyre raportohet se kanë qenë të armatosur.

Teksa po lëviznin në drejtim të bypass-it të Vlorës, dy persona janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime si pasojë e aksidentit. Në materialet filmike dallohet edhe automjeti i përfshirë në aksident, ndërsa targa e tij është banka OTP.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë. Sipas informacionit paraprak, Policia ka ndaluar vetëm një automjet, në të cilin udhëtonin tre persona. Ngjarja është veçanërisht e rëndë pasi ka ndodhur në mes të ditës, në zonën e Radhimës, një nga akset më të frekuentuara të Vlorës. Motivet e sakta të konfliktit dhe rrethanat që çuan në përplasjen mes palëve ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa Policia nuk ka dhënë deri tani detaje të plota zyrtare dhe hetimet vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit