Viktor Bardhi, viktima e tretë e familjes brenda dy viteve! Atentatet që shkundën Rrëshenin

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.09.2026, 10:22

Vrasja e 67-vjeçarit Viktor Bardhi, e regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz të Mirditës, rikthen në vëmendje një histori të gjatë atentatesh dhe përplasjesh që kanë goditur familjen Bardhi gjatë viteve të fundit.

Viktor Bardhi është personi i tretë nga kjo familje që humb jetën në një atentat brenda pak më shumë se dy viteve. Në shtator të vitit 2023 u ekzekutua vëllai i tij, Martin Bardhi, ndërsa në janar të vitit 2025 u vra nipi, Kristian Bardhi.

Ngjarjet janë lidhur në raportime të ndryshme me konfliktet mes familjeve Bardhi dhe Reçi në zonën e Rrëshenit, ku hakmarrja është përmendur si një nga pistat kryesore të hetimit. Megjithatë, për vrasjen e sotme të Viktor Bardhit, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar motivin dhe pistat e plota të ngjarjes.

Një nga atentatet më të bujshme ishte ai ndaj Kristian Bardhit, i cili u ekzekutua pasditen e 13 janarit 2025 në aksin rrugor Fier-Vlorë.

Sipas informacioneve të raportuara në atë kohë, autorët, që dyshohej se ishin tre persona, i kishin ngritur pritë të riut pranë mbikalimit të Novoselës. Ata dyshohet se e ndoqën automjetin e tij dhe më pas hapën zjarr në drejtim të makinës.

Ndaj Kristian Bardhit u qëllua më shumë se 13 herë, ndërsa ai u godit nga tre plumba në trup. Pas breshërisë së plumbave, automjeti që drejtonte doli jashtë kontrollit dhe u përplas disa herë me trafikndarësen, derisa ndaloi.

Dy vite më parë, në shtator të vitit 2023, viktimë e një tjetër atentati ishte bërë Martin Bardhi, vëllai i Viktor Bardhit. Ai u ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej në lokalin e tij së bashku me tre të afërm.

Sipas dinamikës së ngjarjes, dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe qëlluan me breshëri plumbash drejt tavolinës ku ndodhej Martin Bardhi. Ky i fundit humbi jetën në vend, ndërsa tre persona të tjerë që ndodheshin pranë tij mbetën të plagosur.

Rreth një muaj para se të vritej, Martin Bardhi kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte mbajtur pas arrestimit për një tentativë vrasjeje ndaj Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit.

Në atë kohë, vrasja e Martin Bardhit u hetua edhe në pistën e hakmarrjes. Ndërsa sot, me ekzekutimin e Viktor Bardhit, lista e viktimave brenda familjes është zgjeruar sërish, duke rikthyer në qendër të vëmendjes konfliktet dhe atentatet që prej vitesh kanë përfshirë familjen Bardhi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit