Mëngjesin e sotëm u regjistrua një atentat me armë zjarri në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ku mbeti i vrarë 67-vjeçari Viktor Bardhi. Sipas informacioneve paraprake, Bardhi u qëllua me armë zjarri, ndërsa në zonën e Munazit u gjet edhe një automjet i djegur, që dyshohet se u përket autorëve. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i ekzekutuar në Rrëshen më 26 shtator 2023. Martin Bardhi u qëllua me breshëri armësh në lokalin e tij, teksa ndodhej në një tavolinë me tre të afërm; dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa tre personat që ndodheshin me të mbetën të plagosur. Martin Bardhi ishte liruar pak kohë më parë nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte arrestuar për një tentativë vrasjeje ndaj Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit.
Saga e përplasjeve mes familjeve Bardhi dhe Reçi ka prodhuar ndër vite disa ngjarje të rënda kriminale. Në janar 2025, një tjetër anëtar i familjes Bardhi, 24-vjeçari Kristian Bardhi, i njohur edhe si Marku, u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë, pas një atentati në mbikalimin e Novoselës. Sipas të dhënave të asaj kohe, tre persona dyshohet se i zunë pritë dhe më pas e ndoqën me automjet, duke e qëlluar disa herë; i riu mori tre plumba dhe automjeti i tij u përplas me trafikndarëset. Ekzekutimi i sotëm i Viktor Bardhit rikthen në vëmendje këtë histori përplasjesh, ndërsa Policia dhe Prokuroria po hetojnë nëse atentati lidhet me ngjarjet e mëparshme dhe nëse pas tij qëndron motivi i hakmarrjes.