“Bulqiza digjet, Festimja… feston”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.09.2026, 21:47

Një kontrast i fortë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Bulqizë, teksa në një prej zonave të qytetit zhvillohej një koncert festiv i organizuar nga Bashkia, ndërsa në distancë zjarri vijonte të digjte sipërfaqe pyjore në zonën e Vajkalit.

Një qytetar i ka dërguar redaksisë sonë pamjet, duke fiksuar pikërisht këtë kontrast.

Në momentin që kamera është e drejtuar nga zona e Vajkalit, në sfond dallohen ende flakët e zjarrit. Pak çaste më vonë, kamera kthehet drejt skenës së aktivitetit, ku kryebashkiakja e Bulqizës, Festime Mjeshtri, po fliste para të pranishmëve.

Në njërën anë, pylli vijon të digjet; në tjetrën, festa vazhdon.

Vatra mbi Vajkal është raportuar aktive prej më shumë se 10 ditësh, ndërsa vetëm një ditë më parë raportohej se në Bulqizë vijonin dy vatra aktive dhe se terreni i vështirë malor po e vështirësonte ndërhyrjen nga toka.

Dhe pikërisht në këtë sfond, pamjet e dërguara nga qytetari krijojnë një kontrast që vështirë të mos bjerë në sy: Bulqiza përballet me flakët, ndërsa në qytet mbahet koncert festiv.

Natyrisht, një aktivitet festiv nuk e përcakton vetë mënyrën se si po menaxhohet situata e zjarrit. Por pamjet ngrejnë pikëpyetje mbi perceptimin e qytetarëve për prioritetet në një moment kur një pjesë e territorit të bashkisë vijon të jetë nën flakë.

“Bulqiza digjet, Festimja... feston” – ky është kontrasti që qytetari ka zgjedhur të dokumentojë dhe t'ua përcjellë të gjithëve përmes pamjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit