Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili ngre shqetësime serioze për mënyrën se si organizohet shërbimi mjekësor gjatë natës në Reanimacionin e Kardiologjisë në QSUT.
Qytetari tregon se kishte shtruar babain e tij në këtë pavion për shkak të problemeve me zemrën dhe, për shkak të kufizimeve për hyrjen e familjarëve, kërkoi të komunikonte me mjekun që merrej me trajtimin e tij.
Sipas denoncuesit, ai u takua me një mjek të ri, i cili i tha se ishte specializant dhe se kryente shërbim 24-orësh në repart. Duke qenë se jeton dhe punon jashtë Shqipërisë në sistemin shëndetësor, qytetari thotë se kërkoi të kontaktonte mjekun primar që duhej të mbikëqyrte shërbimin.
“U skandalizova kur dëgjova që ky specializant e kryente shërbimin i vetëm pa asnjë mjek primar aty pranë”, shkruan ai, duke shtuar se, sipas informacionit që kishte marrë më pas, mjeku duhej të kujdesej për më shumë se 20 pacientë.
Denoncuesi ngre pretendimin se një situatë e tillë nuk është e sigurt për pacientët, veçanërisht në një repart reanimacioni, ku gjendja e tyre mund të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Ai i bën thirrje drejtuesve të QSUT-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesit të Reanimacionit që të verifikojnë situatën dhe të marrin masa nëse pretendimet rezultojnë të vërteta.
“Një gabim i vogël kushton jetën e njeriut”, shprehet qytetari, duke theksuar se nuk është kundër specializimit të mjekëve të rinj, por kundërshton, sipas tij, mungesën e mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë nga një mjek me përvojë.
JOQ Albania e sjell këtë denoncim si një shqetësim të ngritur nga familjari i një pacienti dhe mbetet në pritje të një reagimi nga QSUT apo institucionet përgjegjëse për të sqaruar se si organizohet shërbimi gjatë natës në Reanimacionin e Kardiologjisë dhe nëse mjekët specializantë janë të shoqëruar apo të mbikëqyrur nga mjekë të tjerë gjatë shërbimit.
Më poshtë gjeni të plotë denoncimin e qytetarit:
“Përshëndetje JOQ!
Dua të denoncoj publikisht një skandal që po ndodh në QSUT prej disa vitesh.
Kam shtruar babain në pavionin e Kardiologjisë, në repartin e Reanimacionit, për shkak të sëmundjeve të zemrës. Pasi nuk lejohej hyrja, kërkova të takoja mjekun i cili merrej me trajtimin e babait tim.
Më futën në një dhomë të vogël dhe përballë meje qëndronte një mjek i ri, rreth 25 vjeç. Duke më folur me pasion, në fund u prezantua si specializant, i cili kryente shërbim 24-orësh në këtë repart.
Duke qenë se jetoj jashtë Shqipërisë dhe punoj në spital, e di që ka primarë. I kërkova mjekut specializant që të lajmëronte primarin e tij.
U skandalizova kur dëgjova që ky specializant e kryente shërbimin i vetëm, pa asnjë mjek primar aty pranë. Edhe më e rëndë ishte kur mora vesh që duhej të kujdesej për më shumë se 20 pacientë, ku vetëm për t’i parë me sy nuk ia dilte.
Pasi u informova mirë, mora vesh se në pavionin e Kardiologjisë të gjithë pacientët janë në dorën e specializantëve gjatë natës.
Ju bëj thirrje Drejtorisë së QSUT-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe shefit të Reanimacionit që të marrin masa për të rregulluar këtë skandal.
Njerëzit nuk janë objekte eksperimentimi që të lihen në dorë të studentëve. Nuk jam kundër mësimit të specializantëve, por jo me kaq liri, sepse një gabim i vogël mund t’i kushtojë jetën një njeriu.
Në asnjë vend të botës nuk ekziston kjo që specializanti të punojë pa udhëheqës primar, aq më tepër në Reanimacion.
Me sa shoh, Shqipërinë po e merr lumi. Po na vrasin të papërgjegjshmit.
Ju faleminderit!”