Edhe pse vetëm mëngjesin e sotëm një parakalim i gabuar në aksin Fushë-Krujë–Rinas i mori jetën një të riu 26-vjeçar, duket se tragjeditë e përditshme në rrugët shqiptare nuk kanë mjaftuar për të ndërgjegjësuar disa shoferë.
Një video e filmuar sërish në zonën e Fushë-Krujës tregon dy drejtues automjetesh që, në vend që të presin në radhën e trafikut si qindra qytetarë të tjerë, zgjedhin të dalin në krahun e kundërt të rrugës dhe të kryejnë parakalime tejet të rrezikshme.
Për disa minuta më pak në trafik, ata vënë në lojë jetën e tyre dhe të çdo personi që mund t’u dalë përballë. Një manovër e gabuar, një sekondë pakujdesie apo një automjet që shfaqet papritur nga krahu tjetër mund të mjaftojë për të shkaktuar një tjetër tragjedi.
Pamjet janë alarmuese dhe tregojnë një realitet të hidhur që vazhdon të përsëritet çdo ditë në rrugët e Shqipërisë: padurimi, arroganca dhe dëshira për të kaluar “me çdo kusht” po kthehen në një nga shkaqet kryesore të aksidenteve fatale.
Gjatë muajit gusht, por edhe përgjatë gjithë vitit, rrugët e vendit janë përgjakuar nga dhjetëra aksidente. Familje të tëra kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, ndërsa të rinj kanë humbur jetën në moshën më të bukur, shpesh për shkak të një gabimi fatal në timon.
E megjithatë, disa duket se nuk mësojnë kurrë.