Erion Veliaj ka shfuqizuar nga ambientet e paraburgimit urdhrin për delegimin e kompetencave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës tek nënkryetarja Anuela Ristani, e cila kishte marrë drejtimin e komanduar të institucionit pas arrestimit të tij.
Në shkresën e firmosur nga qelia, Veliaj pretendon se Ristani ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme urdhrat e tij, duke argumentuar se është cenuar koordinimi institucional dhe zinxhiri normal i drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Por vendimi i tij ka krijuar një situatë të paprecedentë në bashkinë më të madhe të vendit. Veliaj ka hequr Anuela Ristanin nga ushtrimi i kompetencave të kryetarit, por nuk ka përcaktuar se cili nga nënkryetarët e tjerë do të marrë drejtimin e bashkisë.
Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta mbi funksionimin e institucionit, pasi mbetet e paqartë se kush do të ketë autoritetin për të firmosur, marrë vendime, zhvilluar negociata dhe përfaqësuar Bashkinë e Tiranës.
Opozita e ka cilësuar situatën si një “kaos institucional” të krijuar qëllimisht, ndërsa këshilltarët e Partisë Demokratike kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për të sqaruar se kush ushtron aktualisht funksionin e kryetarit.
Sipas ekspertëve të pushtetit vendor dhe juristëve, vendimi i Veliajt mund ta fusë Bashkinë e Tiranës në një ngërç të rëndë juridik dhe administrativ. Ata theksojnë se, edhe pse ligji nuk e detyron shprehimisht, logjika institucionale kërkonte që në momentin e shkarkimit të Ristanit të caktohej menjëherë një tjetër nënkryetar për ushtrimin e kompetencave.
Ndërkohë, situata bëhet edhe më absurde nga fakti se Veliaj, ndonëse ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, vijon të marrë vendime për drejtimin politik dhe administrativ të kryeqytetit.
Juristët e konsiderojnë këtë një precedent të rrezikshëm, ndërsa opozita akuzon Veliajn se po përdor të vetmin instrument që i ka mbetur në dorë për të ushtruar presion politik dhe institucional, në prag të vendimit të pritshëm të Gjykatës së Lartë për masën e tij të sigurisë.
Tashmë, pyetja kryesore mbetet një: kush e drejton realisht Bashkinë e Tiranës? Veliaj është në qeli, Ristani është shkarkuar nga kompetencat dhe një zëvendësues nuk është emëruar. Në mes të këtij vakumi institucional, Tirana mbetet pa një drejtim të qartë.