Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Fushë-Krujë–Rinas, në afërsi të urës së Gjolës, ku një 26-vjeçar ka humbur jetën.
Viktima është identifikuar si gazetari Xhesjon Zogu, i cili po udhëtonte me një automjet tip “Land Rover”. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, i riu ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës.
Nga përplasja e dy automjeteve, “Land Rover” të gazetarit dhe një “Benzi”, mbeti i plagosur edhe drejtuesi i mjetit tjetër, Behar Ruçi, me origjinë nga Korça. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e një parakalimi të gabuar, i cili ka sjellë përplasjen frontale të dy automjeteve.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.