Një banore e zonës së Freskut, në lagjen “Muhamed Deliu”, pranë pallateve “Gjoka”, i është drejtuar redaksisë për të denoncuar një situatë që, sipas saj, po shqetëson prej kohësh banorët e pallateve.
Në mesazhin e dërguar në redaksi, banorja tregon se një grua e moshuar, e cila jeton e vetme, ka hedhur disa herë nga lart sende dhe mbeturina drejt banorëve dhe fëmijëve që ndodhen poshtë pallatit.
Sipas saj, mes sendeve të hedhura kanë qenë patate, domate, kanaçe pijesh dhe fruta e perime, ndërsa në një rast pretendohet se është hedhur edhe ujë i nxehtë. Banorja thotë se fëmijët e pallatit janë goditur disa herë nga sendet e hedhura.
Situata, sipas denoncimit, është përshkallëzuar dy ditë më parë, kur një banori i është dëmtuar xhami i makinës. “Na theu xhamin e makinës, që është dëm i madh”, shkruan ajo.
Edhe para pak ditësh banorja tregon se si zonja i ka hedhur një domate nga lart, moment i cili, sipas saj, është filmuar dhe i është dërguar redaksisë.
Banorja shprehet se janë përpjekur të flasin me të afërmit e gruas, por pa rezultat, ndërsa thotë se nuk dinë se ku duhet të drejtohen për të marrë zgjidhje.
“Na vjen dhe turp të shkojmë nëpër rajone të policisë”, shprehet ajo, duke kërkuar që rasti të bëhet publik dhe të merren masa për të shmangur një incident më të rëndë.
Sipas denoncueses, edhe banorë të tjerë të pallateve mund të konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej kohësh.
Denoncimi i qytetares:
Joq pershendetje ju lutem denoncojeni si rast ne lagjen Muhamed deliu ne fresk te pallatet gjoka esht nje zonje ne moshe na ka shqetesuar disa here duke hedhur mbeturina nga lart femijet e pallatit i ka goditur me gjera si patate domate kanace fantash pjeshk i ka hedhur uje te nxehte nga lart jemi ankuar te re afermit e vet dhe asgje para dy diteve na thyu xhamin e makines qe esht dem i madh sot ne mengjes ka hedhur domaten nga lart sic e pat ne vidjo nuk di ku te ankohem sepse spo gjejm derman si banor por mua me ka ber dem te madh nuk di ku mund ta coj me tej problemin qe kemi me kete zonjen plak shtrig ju lutem nxireni si rast ju faleminderit shume
Ajo jeton vetem Nuk di ku te shkoj te ankohem sepse po te bej debat te denoncon Hajde pysni te gjith banoret e pallateve ketu qe situata esht ber shum e shum her nuk dim ku te shkojm te bejm ankes Na vjen dhe turp te shkojm neper rrajone te policis