Zjarri në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë jashtë kontrollit, ndërsa flakët prej katër ditësh po përhapen në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Situata paraqitet kritike në zonat e Lundrës, Trodhenes dhe Madheshit, ku janë përfshirë nga zjarri qindra hektarë me pisha, dushqe dhe bimësi të tjera.
Për shkak të përparimit të flakëve gjatë mbrëmjes së kaluar, disa familje në Madhesh janë evakuuar, ndërsa zjarri ka rrezikuar edhe banesa dhe stane me bagëti. Ndërhyrja e forcave nga toka është vështirësuar ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer, ndërsa tymi i dendur dhe intensiteti i flakëve pengojnë afrimin në vatrat aktive.
Forcat e angazhuara për shuarjen e zjarrit vijojnë përpjekjet edhe gjatë ditës së sotme, por situata mbetet e vështirë. Flakët po përparojnë me shpejtësi, duke kërcënuar sipërfaqe të tjera pyjore dhe zonat e banuara pranë vatrave të zjarrit.