Dokumenti “Top sekret 2” ndez debat në Kosovë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.09.2026, 08:53

Një dokument i përfshirë në aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit ka shkaktuar debat të gjerë në Kosovë, pasi në rrjetet sociale është përdorur për të ngritur pretendime për lidhje mes institucioneve apo pjesëtarëve të komunitetit mysliman dhe BIA-s serbe. Dokumenti, i emërtuar “Top sekret 2”, sipas Prokurorisë është gjetur në telefonin e Shehollit dhe përmban pretendime se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në Kosovë, me synim zgjerimin e ndikimit, përçarjen e shqiptarëve dhe krijimin e kushteve që do t’i shërbenin interesave të Serbisë.

Megjithatë, një nga pikëpyetjet kryesore mbetet autorësia dhe autenticiteti i dokumentit. Prokuroria Speciale nuk ka bërë publike se mbi çfarë provash mbështetet për të vërtetuar se materiali është hartuar nga BIA apo se është autentik. Radio Evropa e Lirë kërkoi sqarime nga Prokuroria dhe BIA, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e raportimit. Edhe Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk kanë dhënë përgjigje nëse kanë evidentuar raste të financimit të xhamive apo aktiviteteve islame në Kosovë nga burime të lidhura me Serbinë ose strukturat e saj të sigurisë.

Bashkësia Islame e Kosovës i ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke e cilësuar dokumentin si “sajesë” dhe “pamflet ideologjik”. BIK kërkon që institucionet ta hetojnë deri në fund prejardhjen dhe vërtetësinë e tij, ndërsa thekson se ndërtimi i xhamive dhe donacionet janë kryer përmes procedurave ligjore. Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, ka kërkuar sqarim institucional, duke paralajmëruar se publikimi i materialit ka krijuar një situatë që kërkon maturi dhe zbardhje të plotë të së vërtetës.

Debati është përshkallëzuar në rrjetet sociale, ku disa grupe kanë bërë akuza të përgjithshme ndaj komunitetit mysliman dhe BIK-ut. Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar problematik publikimin e materialeve të aktakuzës, ndërsa drejtori Ehat Miftaraj ka paralajmëruar se prova të pretenduara duhet të vlerësohen nga gjykata dhe jo të përdoren për të krijuar “hipoteza të paqëndrueshme” apo ndarje fetare. Sociologu Fadil Maloku ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që përgjegjësia eventuale e individëve të kthehet në fajësim kolektiv ndaj një komuniteti.

Ekspertët e sigurisë kërkojnë që debati të fokusohet te faktet dhe individët, jo te komunitetet fetare. Mentori Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vlerëson se çdo zhvillim që dëmton kohezionin shoqëror mund t’u shërbejë interesave të aktorëve që e konsiderojnë Kosovën kundërshtare. Për këtë arsye, kërkohet që Prokuroria dhe institucionet e tjera të përfshira të sqarojnë publikisht kush e ka hartuar dokumentin, nëse ai është autentik dhe çfarë vlere provuese ka realisht. Deri atëherë, pretendimet e ngritura mbi bazën e tij nuk mund të trajtohen si fakte të vërtetuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit