Çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, por shqiptarët vijojnë të përdorin makinat, pasi mungojnë alternativat e transportit publik. Të dhënat e importeve tregojnë se konsumi ka rënë vetëm 1.2% në periudhën mars-korrik 2026, ndërsa qytetarët kanë paguar rreth 7.6 miliardë lekë, ose rreth 80 milionë euro, më shumë për karburant se sa do të paguanin me çmimet e vitit të kaluar.
Shqipëria vijon të ketë naftë rreth 30% më të shtrenjtë se rajoni, ndërsa taksat përbëjnë mbi 100 lekë për litër. Ndërkohë, qeveria ka marrë masa shumë të kufizuara për të lehtësuar qytetarët, duke ulur për pak kohë akcizën vetëm kur çmimi kaloi 220 lekë për litër.
Në fund, faturën e shtrenjtimit po e paguajnë qytetarët, ndërsa buxheti i shtetit përfiton më shumë nga TVSH-ja. Pa transport publik funksional dhe pa masa konkrete për uljen e barrës fiskale, shqiptarët mbeten të detyruar të paguajnë shtrenjtë për një nevojë që nuk mund ta shmangin.