Urgjenca pranon dështimin: Deda dhe Preka vdiqën sepse ambulanca kishte defekt

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.09.2026, 07:44

Pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës për vonesën e ambulancës në ngjarjen tragjike ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pranuar se ambulanca e zonës ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Sipas Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, telefonata e parë është regjistruar në orën 18:03, ndërsa ambulanca e nisur nga Shkodra ka mbërritur në orën 19:44, pra rreth 1 orë e 41 minuta më vonë. Institucioni argumenton se viktima ishte në arrest kardiak dhe se, pavarësisht reanimimit, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan.

Sqarimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është menaxhuar shërbimi i urgjencës në një zonë ku ambulanca lokale rezultonte jashtë funksionit. Përballë kësaj situate, përgjegjësia politike bie edhe mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministren e Shëndetësisë Evis Sala, e cila duhet t’u japë përgjigje banorëve se përse një ambulancë e urgjencës nuk ishte në gatishmëri dhe pse alternativa e dërguar nga Shkodra kërkoi kaq shumë kohë për të mbërritur. Një defekt teknik nuk mund të mbyllë debatin mbi gatishmërinë e shërbimeve jetike dhe masat që ishin marrë për të garantuar mbulimin e zonës.

Ngjarja e 29 gushtit mbetet një tragjedi e rëndë, por pranimi i vonesës nga vetë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore e bën edhe më të domosdoshëm një hetim të plotë mbi përgjegjësitë institucionale. Familjarët dhe banorët e Vaut të Dejës kërkojnë të dinë nëse një reagim më i shpejtë do të kishte ndryshuar fatin e viktimave, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të sqarojë publikisht se çfarë ndodhi me ambulancën lokale, sa kohë kishte jashtë funksionit dhe pse nuk u garantua menjëherë një mjet zëvendësues.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit