Një pamje sa e rrezikshme aq edhe e papërgjegjshme është regjistruar së fundmi në autostradën Tiranë-Durrës, ku një burrë është filmuar duke kapërcyer rrugën me një biçikletë me vete, mes lëvizjes me shpejtësi të makinave.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, i moshuari shihet i ndalur te ndarëset e betonit në mes të autostradës, duke pritur momentin për të kaluar në anën tjetër bashkë me mjetin e tij. Kjo sjellje ka ngritur reagime të shumta nga drejtuesit e mjeteve, të cilët ndihen të rrezikuar nga veprime të tilla absurde në një nga akset më kryesore të vendit.
Lidhur me këtë situatë, një qytetar ka dërguar denoncimin e tij pranë redaksisë:
"Përshëndetje JOQ! Shikoni se çfarë bëhet në autostradën Tiranë-Durrës. Po nëse e përplas dikush, kush i ka fajet? Normalisht që shoferi do të bëjë burg me drejtësinë e Shqipërisë. Ju lutem postojeni se po na ikën truri me këto lloj njerëzish! Të merren masa të rënda për këdo që tenton të kalojë kështu."