Ndërsa drejtësia po përpiqet të gjurmojë milionat e kokainës së klanit ndërkombëtar "Aruba", paratë e taksapaguesve të Tiranës po rrjedhin drejtpërdrejt te njerëzit e lidhur me këtë rrjet kriminal. Bashkia e Tiranës ka shpallur fituese të dy tenderave me vlerë totale prej 8 milionë eurosh kompaninë “Erald-G” sh.p.k. një me kanale financiare të lidhura me dosjen më të nxehtë të narko-trafikut në vend.
Pavarësisht alarmeve të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka vijuar procedurat duke ia besuar fondet e Rindërtimit në Kombinat kompanisë së Gëzim Ismailit, i cili akuzohet zyrtarisht se ka shërbyer si "lavatriçe" për pastrimin e parave të pista të klanit të drogës.
Në qershor të këtij viti, SPAK goditi rrjetin e narko-trafikut të njohur si “Grupi Aruba”, i udhëhequr nga emra si Luçiano Koçeku dhe Artur Shehu. Sipas hetuesve, ky grup kishte investuar qindra milionë euro të fituara nga trafiku i kokainës nga Amerika Latina drejt Europës, duke i futur ato në industrinë e ndërtimit në Shqipëri.
Në këtë skemë, sipas SPAK-ut, roli i Gëzim Ismailit (pronar i “Erald-G”) kishte qenë kyç në fshehjen dhe investimin e parave të Koçekut. Për këtë arsye, prokurorët kërkuan arrest shtëpie për Ismailin për të parandaluar vazhdimin e pastrimit të parave.
Por kjo nuk e ka penguar Bashkinë e Tiranës. Në dokumentet e publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP), kompania “Erald-G” (në bashkim operatorësh) është shpallur fituese për dy objekte kryesore në Kombinat:
Godina Nr. 10: Fond limit 288 milionë lekë të reja (~3 milionë euro).
Godina Nr. 11: Fond limit 471 milionë lekë të reja (~5 milionë euro).
Ajo që e bën akoma më dyshuese këtë procedurë është fakti se, përveç problematikës me dosjen penale, fituesit nuk kishin paraqitur as ofertën më të ulët ekonomike në garë.
Emri i grupit "Aruba" u faturua nga takimet sekrete që krerët e klanit zhvillonin në ishullin luksoz të Karaibeve. Por dosja e mbërritur nga autoritetet belge zbuloi një detaj edhe më tronditës: në ato takime dyshohet se kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare.
Derisa SPAK nuk ka dhënë ende emra zyrtarësh të përfshirë nga ajo dosje, fakti që 8 milionë euro të rindërtimit po kalojnë në llogaritë e njerëzve të hetuar për lidhjet me Artur Shehun dhe Luçiano Koçekun ngre pikëpyetje të mëdha.
A është kjo thjesht një paaftësi administrative e Bashkisë së Tiranës apo një vazhdimësi e rrjetit të ndikimit që me paratë e taksapaguesve po ushqen subjekte të përfshira në dosjet e narko-trafikut?