Zbardhet dëshmia tronditëse e Genti Nelës, 18-vjeçarit që u dhunua barbarisht mbrëmjen e 27 gushtit në një hotel-restorant në zonën e Malit të Robit, pasi u kërkoi pronarëve pagesën e tij, duke u njoftuar se kishte vendosur të largohej për të nisur një tjetër punë.
Për ngjarjen janë arrestuar Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, të cilët po mbahen në arrest me burg me afat 45 ditë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në dëshminë e tij, Nela tregon se kishte nisur punë si banakier në hotel-restorantin “FLAR” më 10 korrik 2026 dhe se pagën e parë e kishte marrë më 10 gusht. Sipas tij, më 27 gusht u ka kërkuar Florian dhe Arbër Habilajt pagën që i detyroheshin, pasi kishte vendosur të largohej dhe të punonte diku tjetër.
Por vendimi i tij nuk është pranuar. Sipas deklarimit, në ambientet e hotelit ndodheshin edhe Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Pas debateve dhe ofendimeve, Floriani e ka goditur fillimisht me grusht. Më pas, sipas 18-vjeçarit, Arbëri e ka goditur me një tavëll qelqi në kokë, fytyrë dhe trup, ndërsa edhe Dragoti ka marrë pjesë në dhunë.
Nela pretendon se Mariglen Mosha e ka mbajtur të kapur gjatë gjithë kohës, duke e penguar të largohej, ndërsa tre të tjerët e godisnin vazhdimisht.
“Jam ndjerë në rrezik për jetën”, ka deklaruar 18-vjeçari, duke treguar se goditjet kanë qenë të shumta dhe se kishte pësuar gjakderdhje. Sipas tij, gjatë dhunimit katër personat e kërcënonin vazhdimisht se do ta vrisnin dhe se nuk do ta lejonin të shkonte në polici.
Në pamundësi për t'u larguar dhe në përpjekje për t'u mbrojtur, Nela thotë se ka marrë një gotë qelqi dhe ka goditur Florian Habilajn në kokë. Më pas ka mundur të largohet me vrap, por sipas dëshmisë, është ndjekur nga personat e tjerë dhe është ndaluar sërish në rrugë, ku është goditur përsëri.
Pas një tentative të dytë për t'u larguar, 18-vjeçari ka telefonuar nënën dhe i ka treguar për ngjarjen, përpara se të paraqitej në komisariat dhe të bënte kallëzim.
Nela ka deklaruar se nuk kishte pasur më parë konflikte me personat në fjalë dhe se gjatë periudhës së punës kishte kryer detyrat e tij normalisht, madje sipas tij ishte vlerësuar për punën.
Në dëshminë e tij, ai ka përshkruar edhe momentet më të rënda të ngjarjes, duke thënë se gjatë gjithë kohës kishte ndjerë se mund të humbiste jetën.
“Ishte sikur po përjetoja momentet e fundit të jetës sime”, mësohet të ketë deklaruar 18-vjeçari.
Pas ngjarjes, në pranga përfundoi edhe xhaxhai i Gentit, i cili kishte shkuar për t'i ardhur në ndihmë nipit. Ai u arrestua pasi në automjetin e tij iu gjetën armë dhe municione.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në dhunimin e 18-vjeçarit.