Kosova importon mbi 50 milionë € mish nga Brazili, ndërsa BE dhe Shqipëria marrin masa kufizuese
Kosova ka importuar mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, duke e bërë këtë shtet furnizuesin kryesor të tregut kosovar me produkte të mishit.
Ndërkohë, nga 3 shtatori, Bashkimi Evropian pritet të vendosë kufizime për një pjesë të eksporteve braziliane me origjinë shtazore, për shkak të rregullave të reja që lidhen me përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që futen në zinxhirin ushqimor.
Shqipëria ka paralajmëruar masa të ngjashme, ndërsa Kosova ende nuk ka bërë të ditur nëse do të ndërmarrë ndonjë veprim për importet nga Brazili.
Ekspertët e sigurisë ushqimore kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë me masa konkrete, duke fuqizuar prodhimin vendor dhe duke mbështetur fermerët kosovarë, me qëllim uljen e varësisë nga importi.
Profesor Afrim Hamidi ka theksuar nevojën për investime në blegtori, identifikimin e zonave të përshtatshme për prodhim dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore si thertore moderne.
Ndërkohë, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit vlerëson se masat e BE-së lidhen edhe me mbrojtjen e tregut të brendshëm evropian.
Sipas rregullave të BE-së, produktet me origjinë shtazore nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me substanca antimikrobiale që përdoren për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.