Situata nga zjarret në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë kritike. Prej tre ditësh, flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme në Lundëre dhe masivin pyjor të Trodhenit. Gjatë natës, zjarri është përhapur me shpejtësi edhe në fshatin Madhesh, duke rrezikuar fermat dhe gjënë e gjallë të banorëve.
Sipas banorëve të zonës, në një prej fermave ndodhen rreth 250 lopë, krahas një numri të konsiderueshëm bagëtish të imta, kryesisht dele e dhi, si dhe disa koshere bletësh. Zona është përfshirë nga tymi i dendur, ndërsa raportohet se disa krerë bagëtish rezultojnë të humbur që prej nisjes së zjarrit.
Pavarësisht ndërhyrjes së një helikopteri gjatë dy ditëve të fundit dhe angazhimit të forcave të shumta në terren, flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit. Deri tani raportohet se janë djegur qindra hektarë pyje me pisha, dushqe dhe bimësi të tjera. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe shtim të mjeteve ajrore, pasi zjarri po përparon drejt territorit të Krujës.