Nga sot, 1 shtator 2026, transporti publik urban dhe interurban pritet të reduktojë me rreth 20–30% numrin e autobusëve në qarkullim, për shkak të kostove të larta të operimit dhe rritjes së çmimit të karburantit. Operatorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, duke kërkuar vijimin e subvencionimit me 50 lekë për litër naftë.
Shoqatat e transportit paralajmërojnë se reduktimi i flotës do të sjellë ulje të frekuencës së autobusëve, intervale më të gjata në stacione dhe mbingarkesë të mjeteve që do të vijojnë shërbimin. Sipas tyre, masa nuk është një zgjedhje, por pasojë e pamundësisë financiare për të operuar me kapacitet të plotë, ndërsa operatorët thonë se kanë bërë përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit.
Prej muajit maj, shoqatat kanë përsëritur shqetësimin për rritjen e kostove dhe pamundësinë për t’i përballuar ato pa mbështetje shtesë. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas e ka ngritur sërish këtë çështje gjatë muajit gusht, duke paralajmëruar reduktimin e mjeteve nëse nuk gjendet një zgjidhje. Nëse nuk do të ketë një ndërhyrje të shpejtë, qytetarët pritet të përballen me pritje më të gjata dhe mbingarkesë, veçanërisht gjatë orareve të pikut.