Allison Guerriero, ish-partnerja e Charles McGonigal, ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është gjetur e vdekur në banesën e saj në Florida të Jugut.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, 52-vjeçarja kishte qenë aktive në rrjetin social X vetëm pak orë para vdekjes, ku kishte publikuar dhjetëra postime dhe kishte bërë deklarata kritike ndaj FBI-së.
Guerriero ishte një nga personat që kishte dhënë informacion për aktivitetet e McGonigal dhe kishte folur edhe për udhëtimet e tij në Shqipëri dhe kontaktet me kryeministrin Edi Rama.
Ajo kishte deklaruar se McGonigal i kishte thënë se do të udhëtonte në Shqipëri për t’u takuar me Ramën, ndërsa kishte folur edhe për marrëdhënien mes tyre. Këto deklarata u bënë pjesë e vëmendjes gjatë hetimeve ndaj ish-zyrtarit të FBI-së.
McGonigal u përball me akuza në SHBA për fshehje marrëdhëniesh financiare dhe marrje pagesash të paligjshme, përfshirë edhe një çështje që lidhej me aktivitetet e tij jashtë vendit.
Deri tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së Guerrieros, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat e ngjarjes.