Pas humbjes tragjike të 37-vjeçares shtatzënë nga Pogradeci, Marjana Karolina Bunaj, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke deklaruar se po verifikon të gjitha procedurat e ndjekura dhe se, nëse evidentohen parregullsi, do të merren masa.
Por deklarata e institucionit ka ngritur pikëpyetje të forta: çfarë masash mund të merren pasi një nënë dhe fëmija i saj kanë humbur jetën?
Sipas ministrisë, është kërkuar një vlerësim i plotë dhe i pavarur i mënyrës se si është menaxhuar rasti, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Institucioni thotë se çdo mangësi do të analizohet dhe do të ketë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje.
Megjithatë, për familjarët dhe opinionin publik, një jetë e humbur nuk rikthehet me masa administrative. Hetimet pas një tragjedie kërkojnë të japin përgjigje të qarta: a u bë gjithçka në kohë dhe sipas standardeve mjekësore?
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë debatet mbi sigurinë e shërbimit obstetrikal, kohën e ndërhyrjeve dhe mënyrën se si trajtohen rastet urgjente në sistemin shëndetësor.
Familja kërkon përgjigje, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë nëse hetimi do të sjellë vetëm një deklaratë institucionale apo do të nxjerrë përgjegjësi konkrete për atë që ndodhi.
Deklarata e plotë:
"Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta. Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti. Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor" thuhet në deklaratën për shtyp.