Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur pasditen e së dielës në Prishtinë, ku një grua 45-vjeçare dyshohet se ka ndjekur disa fëmijë me sëpatë dhe ka dëmtuar inventarin e një parku.
Rasti është regjistruar më 30 gusht, rreth orës 18:30, në rrugën “Vushtrria” në kryeqytet.
Pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe arrestuar 45-vjeçaren.
Gjatë intervenimit, policia ka sekuestruar edhe një sëpatë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa ndaj të arrestuarës janë iniciuar veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë”.
Me vendim të Prokurorit, ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme nuk raportohet për fëmijë të lënduar. Ende nuk dihen motivet dhe rrethanat që çuan deri te kjo ngjarje.