Banorët e zonës së Astirit, ngrenë shqetësimin për grumbullimin e mbetjeve dhe vendosjen e koshave pranë këndit të lojërave. Sipas tyre, situata është kthyer në një problem serioz për komunitetin dhe veçanërisht për fëmijët, pasi mbeturinat qëndrojnë për orë të tëra në zonë, duke krijuar ndotje dhe kushte të papërshtatshme.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Tiranës të marrë masa për zgjidhjen e situatës dhe të shqyrtojë zhvendosjen e koshave në një hapësirë tjetër, larg këndit të lojërave dhe zonave të banuara. Ata kërkojnë ndërhyrje sa më të shpejtë për të garantuar një mjedis më të pastër dhe të sigurt për banorët dhe fëmijët e lagjes.
Denoncim:
Në Astir, te pallatet “Eja Studio”, është krijuar një situatë e papranueshme. Siç mund ta shikoni, lagjja është bërë pothuajse e pabanueshme nga mbeturinat. Ky shqetësim nuk është vetëm për banorët, por veçanërisht për fëmijët, pasi koshat e mbeturinave ndodhen pranë këndit të lojërave. Vetëm në Shqipëri ndodh që koshat të vendosen në të njëjtin vend me hapësirat ku luajnë fëmijët. Për më tepër, kjo situatë nuk ndodh vetëm një herë, por koshat qëndrojnë aty gjatë gjithë ditës. I bëj thirrje Bashkisë Tiranë të marrë masa dhe të gjejë një zgjidhje, duke i zhvendosur koshat në një vend tjetër, larg këndit të lojërave dhe banesave.