Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video ku denoncon një situatë tepër të rrezikshme të regjistruar pasditen e sotme në Tunelin e Llogarasë.
Sipas denoncuesit, drejtuesi i një automjeti është parë duke kryer manovra të rrezikshme brenda tunelit, duke kaluar herë pas here në korsinë e kundërt, pikërisht në momentet kur në drejtim të tij lëviznin automjete të tjera.
Pamjet e dërguara në redaksi tregojnë automjetin duke devijuar nga korsia e tij dhe duke u futur në sensin e kundërt të qarkullimit, duke krijuar një situatë potencialisht shumë të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve që vijnë përballë.
Nuk dihet se përse drejtuesi po lëvizte në këtë mënyrë dhe nëse bëhej fjalë për një problem teknik apo për një manovrim të qëllimshëm. Megjithatë, një sjellje e tillë brenda një tuneli mund të kthehet lehtësisht në një aksident të rëndë.
Videoja është filmuar sot, rreth orës 16:30, ndërsa denoncuesi kërkon që rasti të verifikohet nga strukturat përgjegjëse dhe të merren masat përkatëse.
Denoncimi i plotë i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:
“Përshëndetje JOQ.
Nëpërmjet këtij denoncimi, dëshiroj të raportoj një situatë tepër të rrezikshme për sigurinë rrugore në Tunelin e Llogorasë.
Konkretisht, është konstatuar një automjet që ka lëvizur në sensin e kundërt të qarkullimit, duke u dalë përballë automjeteve të tjera që qarkullonin normalisht në drejtimin e tyre.
Kjo situatë përbën një rrezik serioz për shkaktimin e një aksidenti të rëndë, me pasoja të mundshme për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Kërkoj që rasti të verifikohet nga strukturat përgjegjëse dhe të merren masat e nevojshme për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të tij, si edhe për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Faleminderit.”