Nga lotët te buzëqeshja: Shqiptarët shpëtuan Katalean, vogëlushja kthehet e shëruar te motra

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.08.2026, 18:01

Një lajm i bukur ka mbërritur sot në redaksinë tonë për vogëlushen Katalea, historia e së cilës vetëm pak javë më parë preku zemrat e mijëra shqiptarëve.

Katalea, e lindur më 6 korrik, u përball që në ditët e para të jetës me një defekt të rëndë në zemër, që kërkonte ndërhyrje urgjente kirurgjikale jashtë Shqipërisë. Në vetëm 10 ditët e para të jetës, ajo ndodhej në inkubator dhe kishte nevojë për transport të specializuar mjekësor dhe trajtim urgjent.

Apeli i familjes, i përcjellë përmes Fondacionit Firdeus dhe më pas i publikuar edhe nga JOQ Albania, bëri që shqiptarët të bashkoheshin edhe një herë për një jetë që kishte nevojë për ndihmën e tyre.

Dhe sot, 30 gusht, ka ardhur lajmi që të gjithë prisnim: Katalea është kthyer e shëruar në krahët e motrës së saj.

Lajmin e ka bërë të ditur imami Elvis Naçi, i cili ka ndarë edhe pamjet e vogëlushes pranë motrës së saj, duke sjellë një tjetër emocion të fortë për të gjithë ata që kontribuuan në këtë histori.

“Ma shpëtuat motrën”, ishte apeli i vogëlushes pak javë më parë. Sot, ajo nuk ka më nevojë të kërkojë ndihmë. Katalea është pranë saj, e shëruar dhe me një buzëqeshje që duket se i ka mbledhur brenda vetes të gjitha emocionet e kësaj historie.

Shuma e nevojshme për trajtimin e saj u grumbullua në kohë rekord, duke dëshmuar edhe një herë forcën e solidaritetit të shqiptarëve kur bëhen bashkë për një qëllim të përbashkët.

Nga ankthi i një familjeje që luftonte për jetën e foshnjës së saj, te momenti kur dy motrat u bashkuan sërish në një përqafim. Një histori që nisi me lot, sot ka marrë fund me buzëqeshje.

Katalea u kthye në shtëpi. Dhe këtë herë, në krahët e motrës së saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit